Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i humorit, Koço Devole. Devole ishte prej disa ditësh i intubuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pas një përkeqësimi të gjendjes së tij shëndetësore për shkak të koronavirusit.
Koço Devole ka vuajtur edhe nga leuçemia, çka ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të tij.
Jeta
Koço Devole (lindur në Kuçovë më 28 nënor 1945), është skenarist, humorist dhe karikaturist shqiptar. Ai rrjedh nga një familje me origjinë nga fshati Sinjë i Beratit.
Koço Devole është një nga personalitetet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole është karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skenë dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.
Në vitin 1946, familja e Koço Devoles është zhvendosur në Tiranë. Koço Devole ka studiuar dy vjet për inxhinieri mekanike në Universitetin e Tiranës, por në vitin e dytë të shkollës së lartë konkurroi për dramaturgji në Akademinë e Arteve, ku nuk fitoi, pasi u cilësua si i patalentuar.
Ne nëntor te vitit 1966 u thirr për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ku punoi si aktor dhe regjisor i Estradës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë përkrah aktorëve të njohur si Aleko Prodani, Roland Trebicka, Zef Deda, Sejfulla Myftari.
Më pas ka punuar edhe në revistën “Hosteni” si karikaturist si edhe me shkrimet humoristike me emrat më të spikatur të humorit shqiptar. Gjatë viteve 1970-1977 Devole është dërguar disa herë në punë të detyruar për "gabime" ideologjike në artin e skenës. Ne vitin 1978 Devole nis punën në Telivizionin Shqiptar si redaktor, skenarist dhe regjisor i programeve artistike. Në vitin 1997, me marrjen e pushtetit nga Socialistet Drejtori i atëhershëm i RTSH-së e shkarkon si të paaftë. Devole detyrohet të emigrojë me familjen në SHBA.
Në 26 nëntor të vitit 2002, së bashku me një mikun e tij, kapet nga policia italiane. Akuza, transport i 3 kg. heroinë. Pas tetë muajsh, më 24 korrik 2003 lirohet nga burgu italian dhe pas gjyqit në Gjykatën e Riminit merr pafajësinë e më pas dëmshperblimin për muajt e burgut. Në vitin 2004 - 2005 punon si regjisor dhe skenarist në emisionin "Fiks Fare" si dhe në spektaklin humoristik "Portokalli". Ka qenë skenarist dhe aktor në koncertet e Vitit të Ri të RTSH-së në vitet 1979 - 1997 si edhe autor dhe regjisor në telekomeditë:
Çanta e zezë 1986
Gjuetia e fundit 1992
Të gjallë apo të vdekur 1996
Çanta me një milion 1993
Oreksi i madhe 1994
Një ditë i çmendur 1995
Revolja e heroit 1996
Pushime në Romë 1996
Mos shko o trim 1997
Tre shokë pa shërbyesen 2001
Karafili dhe Kleopatra 2001
Milioneri 2005
Na ishte njëherë Shqipëria 2009
Në vitin 1997 së bashku me Agron Llakën në "Telebingo Shqiptare", humori i tij pati një shkëlqim të vërtetë.
Koço Devole është autor dhe regjisor i shumë spektakleve skenike me trupën e Estradës së Tiranës, Fierit, Beratit etj.
Në vitin 2013 interpreton në serialin komik "O Sa Mirë" në rolin e profesorit të historisë, Akil Boga.



