
Në mars të 2018-ës përfundon procesi i reformimit të Akademisë së Shkencave. Në një intervistë për Tema TV, akademiku dhe kryetari i grupit të reformimit Apollon Baçe, tha se tashmë akademia e shkencave do të ketë lidhje me një institucion që mund të emërtohet këshilli i shkencave në kryeministri. Pavarësish kësaj Baçi tha se institucioni ku ai bën pjesë do të gëzoj sërish autonominë.
"E kemi atë muaj, marsin që duhet përgatitur reforma. Pastaj neve kërkojmë që brenda dy viteve të jemi të kontrolluar për të parë se si po ecën kjo gjë. Dy vjet le të na marri, le të na monitorojnë. Deri tashi nuk ka qenë kjo pikë që ne të jepnim në një fare mënyre llogari tek Kuvendi apo Këshilli i Ministrave.
Ne po mundohemi të ganxhohemi te blloku i krijuar nga Kryeministria. Në Kryeministri do të krijohet një institucion i cili mund të marrë emërtimin Këshilli i Shkencave ku do të ketë në varësi disa institute. Këto institute do të kryejnë studime dhe atje ku nuk do munden ata do të ndërhyjë Akademia e Shkencave.
Ato që nuk mbulohen nga institutet do t'i marrë përsipër Akademia dhe njëkohësisht akademia çon sinjale tek shteti dhe shteti sjell sinjale tek ne. Pa krijohet një formë simbioze. Ata janë organi që kanë lekët dhe që bën implementimet, por në një fare mënyre ka edhe një farë oponence nga ne", deklaroi Apollon Baçe.



