
Nuk kanë të sosur peripecitë e shqiptarëve që tentojnë të shkojnë me gomone drejt Anglisë.
MCN Tv ka siguruar pamje të emigrantëve të cilët janë vendosur në kampe të improvizuara në Veri të Francës.
Dhjetëra të rinj, por edhe gra shtatzënë dhe fëmijë e kalojnë natën në pritje për të shkuar drejt “tokës së premtuar”.
Në kampet e improvizuara ndodhet edhe një fëmijë vetëm 1 vjeç nga zona e Bathores.
MCN ka komunikuar me shqiptarët përmes mesazheve deri në orët e mbrëmjes, ku ata kanë rrëfyer kalvarin që po kalojnë.
Disa nga mesazhet e emigrantëve shqiptarë për MCN janë:
"Na kapi policia. Kam fjetur në pyll. Është një torturë. Po vdesim nga këmbët! Po vdesim të gjithë!
"Kemi 15 ditë që endemi kështu. Me temperaturë 39”
"Futemi në ujë deri në gjoks, pastaj hipim në gomone”
"Ndizni një qiri për ne se Zoti ndoshta bën mirë!”
"Paguan 4 mijë paund kur kalon, pastaj hipën direkt në gomone"
Mësohet se në gomone qëndrojnë deri në 70 veta. Pagesat shkojnë deri në 4 mijë paund vetëm për kalimin nga Franca në Angli.
E gjithë zona monitorohet me dron, ku shtetasit tanë detyrohen të fshihen në shkurre, ferra, nëpër pyll.



