Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të mërkurën ka raportuar se numri i nxënësve të shkollës së mesme “Janaq Kilica”, të shfaqur me shenja intoksikacioni ka shkuar në 60-të.
Përmes një njoftimi për mediat, raportohet se në spital po marrin trajtim 14 nxënës, të cilët shfaqen në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Ata, aktualisht, po mbahen në vëzhgim nga mjekët.
“Paraditen e sotme pas ngjarjes në shkollen e mesme “Janaq Kilica” u paraqiten menjëherë në spital rreth 30 nxenës dhe më pas numri erdhi në rritje duke shkuar në 50 dhe deri para pak minutash, në 60 nxënës me shenja të intoksikacionit, por një pjesë edhe me neuroza paniku, që sipas mjekëve, janë të kuptueshme në këtë situate”, citohet nga njoftimi.
Pamjet që mbërritën nga Fieri sot paradite treguan shumë fëmijë që transportoheshin me autoambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Policia raportoi se dyshohet se është përdorur sprajt piperi nga një nxënës i kësaj shkolle'', ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë deklaron se ka nisur grupet e inspektimit në terren për verifikim dhe do kryhen analizat për ndotjen e ajrit në bazë të mostrave.
Pamjet treguan fëmijë edhe të shtrirë në tokë pasi kishin humbur ndjenjat apo gjimnazistë që kishin shfaqur dobësi dhe probleme në frymëmarrje. Ka pasur dhe një situatë shumë të tensionuar në shkollë dhe në spital.
Spitali rajonal deklaroi se janë 58 nxënës dhe dy mësues që janë paraqitur në spital me shenja intoksikacioni për të marrë trajtim në këtë spital dhe gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.
14 nxënës janë në monitorim.
Spraj piperi? - Policia deklaron se paraprakisht dyshohet se një nxënës shkolle ka përdorur sprajt piperi.
''Sot rreth orës 11:10, në spitalin Rajonal Fier kanë shkuar për kontroll mjekësor disa nxënës të një shkolle të mesme që kanë pasur probleme me frymëmarrjen. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe nga veprimet e para të kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Fier, Drejtorinë Arsimore dhe Drejtorinë e Shkollës, paraprakisht dyshohet se është përdorur sprajt piperi nga një nxënës i kësaj shkolle'', njofton policia.
Deshmitë- Një nxënëse e shkollës “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit dëshmon se helmimi këtë herë ishte më i rëndë.
“Tek klasa ime nuk u ndje shumë, por në kat të dytë u ndje më shumë. janë helmuar shumica e nxënësve të vitit të parë dhe të vitit të tretë” tha një nxënëse.
Do monitorohet ajri- Inspektorati Shtetëror Shëndetësor menjëherë sapo është njoftuar për këtë ngjarje në gjimnazin “Janaq Kilica”, në qytetin e Fierit ka nisur grupet e inspektimit në terren për verifikim dhe marrjen e masave të menjëhershme" informon ministria e Shëndetësisë. "Aktualisht, nuk ka të dhëna për ndotje të ajrit në bazë të mostrave të marra nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Fier. Kjo analizë do të kryhet nesër në orën 07.30 për të vendosur hapjen e shkollës dhe vazhdimin normal të procesit mësimor" informoi Ministria e Shëndetësisë.
Disa ditë më parë këta nxënës u helmuan duke shfaqur të njëjtat simptoma.
PD: Shteti do të fshehe ngjarjen - Kryetari i degës se PD-së Fier, Luan Baçi tha se helmimi i nxënësve në Fier është një ngjarje e përsëritur. Ai tha se ka pasur tentativa për manipulimin e ngjarjes dhe se shteti ka është treguar i papërgjegjshëm
Hera e dytë- Kjo është hera e dytë që fëmijët helmohen. Një prind i indinjuar thotë: Ne prindërit sakrifikojmë. Kjo është hera e dytë që ndodh. Është e paimagjinushme në një shkollë serioze të ndodhin gjëra të tilla.



