Një superkompjuter japonez tregoi se lagështia mund të ketë një efekt të madh në shpërndarjen e grimcave të virusit, që do të thotë rrezik i shtuar i infeksionit të koronavirusit në mjedise të brendshme të thata gjatë muajve të dimrit. Gjetja sugjeron që përdorimi i mjeteve që gjenerojnë lagështirë mund të ndihmojë në kufizimin e infeksioneve gjatë kohës kur ventilimi nga dritarja nuk është i mundur, sipas një studimi të lëshuar të martën nga gjiganti i kërkimeve Riken dhe Universiteti Kobe.
Studiuesit përdorën super kompjuterin Fugaku për të modeluar emetimin dhe rrjedhën e grimcave të ngjashme me virusin nga njerëzit e infektuar në një larmi ambientesh të brendshme.
Lagështia e ajrit më e ulët se 30 për qind rezultoi në më shumë se dyfishin e sasisë së grimcave të virusit në ajër krahasuar me nivelet prej 60 për qind ose më të larta, treguan simulimet.
Studimi gjithashtu tregoi që mburojat transparente të fytyrës nuk janë aq efektive sa maskat në parandalimin e përhapjes së virusit në ajër. Gjetje të tjera treguan se ulja në të njëjtën tryezë rrezikon më shumë ata që janë në të njëjtin krah sesa ata që janë përballë dhe numri i këngëtarëve në kor duhet të kufizohet ose të ndahet.
Ka pasur një konsensus në rritje midis ekspertëve të shëndetit që virusi Covid-19 mund të përhapet përmes ajrit. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rishikuan udhëzimet këtë muaj, duke saktësuar se patogjeni mund të qëndrojë në ajër për orë të tëra.



