
Banorët e dy njësive Golaj e Bytyç në Has protestojnë prej ditësh duke kërkuar një rrugë e cila është bërë që nga koha e Italisë fasjiste.
Emisioni “Fol” dhe ekipi i MCN TV u ndalën me banorët e këtyre zonave të cilët rrezikojnë të përballen dhe me shoqërime në polici pas protestave në kërkim të rrugës e cila prek direkt 6 fshatra.
Ata shprehen se në 34 vite demokraci shteti nuk ekziston duke thënë se iu ka shkuar thika në asht.
Jam 70 vjeç, rruga është ndërtuar që në 1939 me rob lufte, është rrugë e bërë me taban, është gati. Rruga Kam-Qafë Prush është 19 kilometër. Janë gjashtë fshatra që preken direkt nga rruga.
Më ka vdekur kushëriri rrugës për në spital dhe nuk arriti dot prej rrugës që kemi. Jemi njerëzit më të persekutuar prej këtë rrugë.
Edhe ata që kanë ardhur për fushatë vetëm mashtrime kanë pasur. 34 vite nuk e ka vënë askush ujin në zjarr, kanë marrë votën dhe kanë ikur.
Ne kemi ecur me shpresë, por shpresat janë këputur. Ne na ka shkuar thika te ashti. Kush ka makina, të gjitha taksa e tatime i paguajnë në shtet, ndërsa asnjë lopatë dhe nuk kanë hedhur.
Kërkoj nga qeveria shqiptare që kësaj zone t’i jepen ndihma për këtë rrugë që të bëhet diçka. Kanë ardhur 2-3 herë kanë gërryer dhe, e jo çakull.
Prishin edhe tabanin e vjetër. Trajlat e kromit 40 ton e bën akoma më keq rrugën.
Kryetari i bashkisë Has iu bashkua protestës dhe tha se ne jemi bashki të vogla që nuk i përballojmë investimet.
Jam gati të rri në protestë deri në sabah, bashkë me shokët. Jemi tepër të vonuar.
Ndërkohë një inxhinier miniere, banor i zonës, thotë se në këtë zonë janë dhënë 28 leje minerare.
Zona ka 5.5 milionë ton minerale të zbuluara. 1.5 milionë tonë të shfrytëzuara gjatë gjithë viteve, edhe në komunizëm, edhe tani.
Në këtë zonë operojnë 28 leje minerare të licencuara. Të gjitha këto firma paguajnë taksa lokale dhe qendrore, por rruga është kështu siç është.
Veprat e artit janë të ndërtuara që në atë kohë. Rruga do stabilizant, asfalt dhe kanale anësore.
Një qytetar i cili ishte i ftuar në emision, u shoqërua nga policia në mes të tij, pasi kishte protestuar për rrugën.
Policia po pret që të marrë protestuesit sa të mbarojë emisionin. Ne kemi gati një shekull që nuk është bërë investim, që në kohën e Italisë fashiste, që lutemi për këtë rrugë.
Ne jemi tre breza që presim gjithmonë kur do të nisë këtë rrugë. Im atë më thotë shpesh ta kisha parë të nxirë rrugën, le të vdisja i qetë pastaj.
Policia ka shoqëruar disa persona në komisariat, ndër ta edhe mua po më shoqërojnë tani. Le ta dinë të gjithë që jemi gati të shkojmë në burg.
Edhe i fundit nuk do të ndalet nga protesta. Ose të gjithë në burg, ose të bëhet diçka për rrugën.
“Rrugën na e kanë premtuar të gjithë, deputetë dhe të tërë, herën e fundit ka qenë Pandeli Majko, i premtoi popullit se rrugën e keni të bërë dhe nuk bëri gjë. Kemi qendër shëndetësore, infermier, për ndonjë hall a problem shkojmë në Gjakovë. Kosovën e kemi 8 kilometër larg, Krumën 18 km. Shteti nuk na ka ardhur në ndihmë për asnjë gjë. Rama po thotë do ju bëj pasaportat europiane, pse të na i bëj që të ikin dhe këta që janë këtu. Ne duam pasaportat shqiptare për të investuar këtu, të na sigurojë punën këtu në vendin tonë ku jemi të punojmë dhe jetojmë”, thotë një tjetër banor.
Një banor thotë se është dhënë një fond 120 mijë dollarë për tu hapur një rrugë që lidh me Gjakovën, është bërë një trase dhe që kur u ndryshua qeveria në 2013, nuk është investuar më dhe rruga ka mbetur njëlloj.
Po të jetë ajo rrugë ne shkojmë në shkollë, bëjmë pazar. 18 kilometër është deri në Gjakovë, 60 kilometër deri në Bajram Curr. Ne do protestojmë!
Mbaj mend vetëm rulin e Italisë fashiste. Nuk ka asnjë që ta mirëmbajë rrugën. Ambulanca vjen deri ku mbaron asfalti dhe thotë silleni të sëmurin këtu se nuk futet dot makina.
Ne trajtohemi sikur të mos të jemi të shtetit shqiptar. Nuk e çan kokën as PS dhe as PD, sikur të mos ishim njerëz.
Na ka shkuar thika në asht! Italia i ka bërë rrugët, urat dhe veprat e artit, që nuk kanë lëvizur një gur prej 86 vitesh.
Sivjet janë bërë dy ura për korrupsion. Tre herë është matur rruga, nuk dihet ku shkuan fondet.
Kjo rrugë mirëmbahet prej një punëtori me një karrocë dhe një rropatë, një punëtor ka 22 kilometra.



