Juristja Enieda Bozheku duke folur në “Mcn Economy” për sigurinë juridike, theksoi se cenimi i të drejtës së pronës, cenon të drejtën themelore të shtetit. Bozheku vuri në dukje se kemi shumë mbivendosje ligjesh, që sjellin konflikte gjyqësore, pasiguri juridike, dhe janë problematikë për investitorët e huaj.
“Koncepti i sigurisë juridike lidhet me atë që është parimi i një qasje në atë që janë të drejtat dhe detyrimet e njerëzve, ku do t’u garantohet qëndrueshmëria. Në sistemet demokratike, siguria juridike do të thotë që njëherë që merret një vendim, sa i përket të drejtave të shtuara nga individi, ato s’mund të modifikohen, përjashto disa raste të caktuara.
Katrahura e 91-shit bëri që prona të humbte origjinën e saj. Në momentin që ti cenon një nga themelet e shtetit, e drejta e pronës, është një e drejtë që njeriu në formën e zhvillimit të vetvetes e ka. Kur kjo preket në themelin e vet, në besimin që kam dhënë te shteti si nocion i përgjithshëm, dhe më ndërhyn një ligj tjetër, shkakton stres emocional. Ndodh që qytetari të demoralizohet, të thotë Shqipëria nuk bëhet dhe të largohet nga ky vend.
Kemi shume mbivendosje ligjesh dhe asnjëra s’e ka zgjidhur problemin e pronës. Një nga problemet kryesore lidhet me investimet në bujqësi, lidhet me korporatat bujqësore. Nëse unë kam konflikt mbivendosje, kur vjen puna për të krijuar bashkësi, për të investuar në afatgjatë, unë s’arrij dot ta ushtroj këtë formë investimi të pastër sepse do kem konflikt gjyqësor, pasiguri juridike, që mund të më ndryshojë rrugës vendimin.
Të huajit një nga problemet madhore që hasin për të investuar është pikërisht konflikti për pronën. Gjykatësit janë zbatues të ligjit. Kur mua më ndryshon ligji, gjyqtari do interpretojë efektet e dhëna nga ligjvënësi. A ka raste kur interpretimet e gjykatës janë të gabuara? Ka sa të duash.
S’ka si të ketë rregulla të qarta, në një sistem sa i përket mbrojtjes së tokës, që ka çdo herë kthim, rikthim, zbatim moszbatim, afat mosafat, lojëra gjyqësore dhe teknikalitete”.



