Dita e sotme do të shohë edhe hapjen zyrtare të bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, e cila pritet të jetë me rëndësi kyçe sa i takon operacioneve që mund të zhvillojë aleanca e Atlantikut të Veriut në rajon dhe më gjerë.
Në qytezën e Shqipërisë së mesme në Kuçovë, baza ajrore e aleancës ushtarake të NATO-s është gati me infrastrukturë moderne për avionët luftarakë të Aleancës, ndërsa pak ditë më parë u montuan edhe 3 dronët e armatosur ‘Bayraktar’ të blerë në Turqi.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes zyrtare do të jetë edhe ministri turk i Mbrojtjes Yasar Guler si dhe ministri Italian i Mbrojtjes Guido Croseto, të cilët po ashtu do të flasin në ceremoninë e hapjes.
Pas tyre kryeministri Edi Rama do të ketë fjalën përshëndetëse, i ndjekur nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ndërsa fjala përshëndetëse do të mbyllet nga presidenti Bajram Begaj, i cili është edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Mësohet se gjatë kësaj ceremonie do të ketë edhe një spektakël në ajër të avionëve.
Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.
Baza ajrore e Kuçovës u ndërtua në vitet 1950 për të pritur avionët e Forcave Ajrore Shqiptare.
Ajo u rikthye në vëmendje viteve të fundit me një investim të mbështetur nga NATO ku Shqipëria u anëtarësua në vitin 2009.
Në fazën e parë të modernizimit të kësaj baze u llogaritën investime prej 50 milionë eurosh.
Kontributi i palës shqiptare llogaritet në rreth 10% të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme.
AXHENDA
07:45 Nisja për në Bazën Ajrore Kuçovë
09:30 Mbërritja në Bazë
10:10 Mbërritja e autoriteteve të larta shtetërore dhe të huaja
10:25 Fillimi i ceremonisë
10:30 Fjala e përshëndetëse e Ministrit të Mbrojtjes Niko PELESHI
10:35 Fjala përshëndetëse e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Arben KINGJI
10:40 Fjala përshëndetëse përfaqësueses së NSPA Stacy. A. CUMMINGS
10:45 Fjala përshëndetëse NATO CAOC Torrejon Commander, Lieutenant General Juan
Pablo Sanchez DE LARA
10:50 Fjala përshëndetëse e të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës Ameriakne David ËISNER
10:55 Fjala përshëndetëse e Ministrit Turk të Mbrojtjes Yaşar GÜLER
11:00 Fjala përshëndetëse e Ministrit Italian të Mbrojtje Guido CROSETTO
11:05 Fjala përshëndetëse e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi RAMA
11:15 Fjala përshëndetëse e Kryetares se Parlamentit Lindita NIKOLLA
11:20 Fjala përshëndetëse e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bajram BEGAJ



