Ermela Teli, aktore dhe regjisore që ka mbrojtur Teatrin, e cilëson ditë zie të dielën e 17 majit. Në një lidhje Skype nga Lozana, Zvicër, ku ajo vazhdon karrierën e saj si regjisore, Teli thotë se Teatri Kombëtar ka pas një histori shumë më të gjatë se ajo e politikës.
“Është tronditëse, duket si një ditë zie. Të shohësh si shembet një godinë që ka një histori më të madhe se historia e politikës. Teatri kishte nevojë për restaurim por jo për një shkatërrim dhe shndërim të idenitetit. Nuk mund të ndodhë kurrë në një vend ku respektohen ligjet të shkatërrohet kështu një teatër”, thotë ajo.
Teli tha se rasti i Teatrit zbulon se monumente të tjera historike mund të rrezikohen në të njëjtën mënyrë.
“Është bërë çështje politike çdo gjë në Shqipëri dhe mua më vjen shumë keq që nuk ka më qëndrim shpirtëror. Për mua është shumë e dhimbshme. Çështja e Teatrit është një tregues i qartë se çdo objekt historik në vendin tonë është i kërcënueshëm”, tha ajo.



