
Policia e Shtetit ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të protestuar të martën përpara Parlamentit. Në letrën e policisë thuhet se ky vendim ka ardhur pas ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në dy protestat e para. Menjëherë pas letrës së policisë ka reaguar ashpër Partia Demokratike, duke thënë se nuk kishte kërkuar leje nga policia. Në një letër që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi, theksohet se në protestë nuk është dhunuar asnjë pjesëtar i qeverisë, teksa akuzohet policia se është e varur nga qeveria. Po ashtu, letra vazhdon me argumentin se dhunën e ka ushtruar vetëm policia politike e Edi Ramës, nën urdhrat e tij të paligjshëm. Ndërkohë, edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka pohuar se as gazi lotsjellës nuk do t’i ndalojë protestat kundër atij që ajo e quan sekt politik i kapur nga krimi.



