Më 6 mars 2026, kryetarja e Bashkisë Vlorë, znj. Brunilda Mersini, promovoi përfundimin e një investimi në fshatin Sherishtë, duke njoftuar asfaltimin e rrugëve të brendshme si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës në zonë.
Sipas saj, në vijim pritet edhe vendosja e ndriçimit publik për të rritur sigurinë dhe cilësinë e jetesës për banorët. Por situata në terren duket ndryshe.
Gazetari Ersid Karaj udhëtoi drejt Sherishtës për të parë nga afër investimin. Gjatë verifikimeve, ai kreu matje të gjerësisë së rrugës, e cila rezulton të variojë nga 250 cm në 270 cm në disa segmente. Sipas dokumentacionit të bashkisë, gjerësia e projektuar rezulton rreth 220 cm.
Banorët shprehen se rruga është shumë e ngushtë, duke e bërë të vështirë kalimin e automjeteve, veçanërisht në afërsi të banesave. Për këtë arsye, ata kanë ndërhyrë vetë, duke e zgjeruar rrugën me beton dhe materiale të tjera ndërtimi, me shpenzimet e tyre. Sipas dëshmive të tyre, kostot kanë qenë të konsiderueshme, duke shkuar nga 800 mijë deri në 1 milion lekë për familje, përfshirë betonin, zhavorrin dhe punimet përkatëse.
Banorët theksojnë se ndërhyrja e tyre nuk ka qenë vetëm për lehtësi kalimi, por edhe për të shmangur problemet me ujërat e shirave dhe për të përmirësuar aksesin pranë hyrjeve të banesave. Në përpjekje për të marrë një reagim zyrtar, gazetari iu drejtua Bashkisë Vlorë. Fillimisht nuk u lejua hyrja nga hyrja kryesore, pasi ajo shërben vetëm për punonjësit. Më pas, në zyrën e informacionit për qytetarët, u kërkua një intervistë me kryetaren.
Sipas punonjëses së informacionit, znj. Mersini nuk ndodhej në bashki në atë moment. Gazetarit iu kërkua të paraqiste një kërkesë zyrtare dhe të linte një numër kontakti për caktimin e një takimi. Megjithatë, që nga data 10 mars, kur është bërë kërkesa, deri më sot, nuk ka pasur asnjë përgjigje apo kontakt nga Bashkia Vlorë.



