Ministria e Arsimit ka bërë një hap pas në lidhje me testin e gjuhë-letërsisë për maturën shtetërore. Pas një takimi në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), ku janë diskutuar pretendimet e ngritura nga maturantët është vendosur rishikimi i shpërndarjes së pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve, si dhe do të merret në konsideratë heqja nga vlerësimi përfundimtar i ndonjë pyetjeje specifike që rezulton të ketë pasur nivel më të lartë vështirësie se sa niveli i njohurive të nxënësve.
“Përkundër gjithë këtij diskutimi të zhvilluar, QSHA vendosi se do të vlerësojë shpërndarjen e pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve, si dhe do të konsiderojë heqjen nga vlerësimi përfundimtar i ndonjë pyetjeje specifike që rezulton të ketë pasur nivel më të lartë vështirësie se sa niveli i njohurive të nxënësve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Në takim morën pjesë përfaqësues të MASR, QSHA, DPAP, KOMSH, si edhe 20 mësues të gjuhës shqipe dhe letërsisë nga shkolla të ndryshme të Tiranës, Fierit, Vlorës, Elbasanit etj.
Pjesëmarrësit kanë rënë dakord se testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk ka dalë jashtë programit orientues dhe nuk ka gabime shkencore.
Megjithatë, është pranuar pretendimi i ngritur për gabime drejtshkrimore, por sipas QSHA ato janë të qëllimshme.
“QSHA sqaron se ka vërtet një tekst me gabime, por ky tekst është ndërtuar në mënyrë të qëllimshme i tillë, për të vlerësuar kompetencat gjuhësore të nxënësve. Kjo u është bërë e ditur maturantëve, përmes një fjalie sqaruese, që në fillim të tekstit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Lidhur me tekstin e shumëdebatuar ku personazhi kryesor ishte Turi, QSHA konstaton se ka qenë i përshtatshëm për vlerësimin e kompetencave, duke u bazuar plotësisht në programin orientues dhe në përpjesëtim të drejtë, gjithashtu, edhe me programin e shkollave profesionale.
Ndërsa sa i takon tekstit të huazuar nga Poradeci, për të cilin maturantët janë ankuar, QSHA thekson se “përfshirja e tij në provimin e maturës u është bërë e qartë nxënësve, edhe përmes paraqitjes së tij në testin model, i cili është shpërndarë paraprakisht tek ata. Kjo u ka dhënë mundësi maturantëve dhe mësuesve që të bëjnë përsëritjet e nevojshme mbi veprat e këtij autori, për një përgatitje sa më të mirë të nxënësve në provimet e maturës”.



