Kreu i KMSH-së: Nata e Kadrit, më e bekuara e muajit të Ramazanit

Kreu i KMSH-së: Nata e Kadrit, më e bekuara e muajit të Ramazanit

Kreu i Komunitetit Myslym Shqiptar Bujar Spahiu ka uruar ‘Natën e Kadrit’, duke kujtuar rëndësinë e saj. Myslymanët besojnë në këtë natë zbriti ‘Kurani’, libri i shenjtë. Spahiu thotë se kushdo që falet në ‘Natën e Kadrit’ me besim të sinqertë i falen mëkatet e mëparshme. Në fund kreu i KMSH lutet që besimtarët ta gjejnë ‘Natën e Kadrit’, pasi ajo rastit të jetë në 10-ditëshin e fundit të muajit të shenjtë të ‘Ramazanit’.

Postimi i Bujar Spahiut.

Në kërkim të Natës së Kadrit!

Nata e Kadrit është një ndër netët e bekuara të muajit Ramazan, e cila gjendet në dhjetëditëshin e fundit të tij.

Kurani i Madhërishëm, hadithet profetike, komentimet e dijetarëve të mëdhenj, tregojnë për rëndësinë dhe vlerat e mëdha që përmban kjo natë.

Është nga ngjarjet e mëdha Nata e Kadrit, aq sa ka një sure të veçantë në Kuran, e cila mban këtë emër dhe përshkruan veçoritë e saj.

“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.

-E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?

-Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.

-Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.

-Paqe është ajo deri në lindjen e agimit. (Kuran, 97: 1-5)

Motra dhe vëllezër besimtar, nuk duhet të na fashitet asnjëherë nga nënvetëdija jonë se, kjo natë është në një farë mënyre (me lejen e Zotit) edhe çështje përpjekje.

Pra, shkujdesja në gjithë vitin, shkujdesja në gjithë Muajin e Ramazanit, nuk janë tregues se Nata e Kadrit arrihet të kapet dhe të përfitohet gjithçka ajo nëse je i shkujdesur.

I shkujdesuri me të devotshmin kanë dallime të mëdha, Allahu e di mësë miri!

Nata më e bekuar është ajo që shënon çlirimin e njeriut përgjithmonë nga prangat e mëkateve e për t’u mos kthyer më në jetën e papastër.

Kur besimtari mundohet të përmbushë detyrën e tij ndaj Zotit me të gjitha aftësitë që posedon, u bindet porosive të Tij, dhe kalon muajin Ramazan në adhurim, lutje, reflektim dhe lexim Kurani dhe në veprat që e shpien drejt Zotit, atëherë si shpërblim i jepet Nata e Kadrit.

Në plotësim të këtyre shkaqeve, me lejen e Zotit zbret nga Arshi dhe vjen pranë robit të Tij, mëshira e pakufijshme, e shpëton nga papastërtia dhe i plotëson çdo lutje.

Profeti (a.s.) në këtë natë lutej:

“Allahume inneke a’fuvun Kerimun tuhibbul a’fva faa’fu anni.

O Allah! Ti Je Falës, shumë Bujar. Të pëlqen falja. Më fal mua!”

Në këtë natë, Zoti zbret mëshirë mbi robërit e Tij, të cilët i nënshtrohen me sinqeritet vullnetit të Tij dhe kërkojnë rrugë për t’iu afruar Atij.

Vlera më e madhe e kësaj nate është që në të zbriti libri më madhështor, Kurani, mbi Profetin, Muhamedin (a.s.), drita e të cilin nuk do të shuhet kurrë deri në kijamet.

Allahu ka dashur që mirësinë dhe begatinë e Tij Absolute t’ia zbresë njeriut në këtë natë.

Dhe zbërthimi i kësaj mirësie e begatie absolute Hyjnore, na vjen në hadithe nga i ndrituri, Muhamedi (a.s.)

Ebu Hurejrah r.a. ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:

-Kushdo që falet në Natën e Kadrit, me besim të sinqertë dhe me shpresë në shpërblim, atij i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.

I Dërguari i Allahut (a.s.) me anë të porosive të përsëritura, na ka nxitur të mos jemi indiferentë dhe të paditur nga vlerat e kësaj nate, përkundrazi ta kërkojmë atë me anë të lutjes dhe istikfarit (kërkim faljes).

Dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit e gjente të Dërguarin e Allahut (a.s.) duke bërë përpjekje të mëdha në adhurim e në vepra të mira, që nuk kishte bërë më parë. Në dhjetëditëshin e fundit, Profeti (a.s.) largohej nga çdo veprimtari tjetër e i përkushtohej plotësisht adhurimit të Zotit duke bërë itikaf në xhami.

E lusim Zotin të na bëjë të mundur ta gjejmë këtë Natë dhe të përfitojmë prej saj!

Amin!

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy