
Tre kontrollorëve të aerportit të Rinasit iu është komunikuar masa e arrestit në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku mbahen prej 12 orësh.
3 personat e arrestuar janë Flora Ndreca, Muhir Mezini dhe Armando Fezga, ndërkohë që akuza e ngritur ndaj tyre është ajo e ‘shpërdorimit të detyrës’.
Një prej tyre është kreu i sindikatës, përgjegjësja e turnit ndërsa tjetri është i shoqëruari i parë në lidhje me ngjarjen.
Në prokurori janë kallëzuar vetëm organizatorët e asaj që tashmë konsiderohet si grevë nga ana e autoriteteve, ndërsa rrezikojnë deri në 7 vite burg.
Këta persona dyshohet se janë organizatorë të situatës në Albcontrol, ku të gjithë kontrollorët njëzëri shpallën paaftësinë e përkohshme për punë.
Ndërkohë, përballë ambienteve të Drejtorisë së Policisë Tiranë ndodhen kryesisht familjarë të të ndaluarve.
Avokati i tre kontrollorëve të arrestuar, ka folur për mediat. Rezart Kthupi u shpreh se akuza që është ngritur ndaj kontrollorëve është “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.
Sapo kanë përfunduar procedurat për ndalimin e tre kontrolloreve Armando Fezga, Flora Ndreca, Muhni Mezini, të cilët akuzohen nga prokuroria për ‘Shpërdorim detyre”. Z. Fezga sapo ka kaluar Covid-in, nuk është në kushtet më të mira, për të përballuar ndalimin prej 228 orësh në paraburgim. Është një akuzë që nuk mund t’ju komunikohet atyre, sepse nuk janë funksionarë publikë. Personat e ndaluar e kanë kundërshtuar ndalimin e tyre, nuk e di nëse një person mund të ndalohet për komunikime në Whatssap. Pra është një akuzë që është ngritur në bazë të komunikimit në grup chati. Të bëjmë një sqarim, është e vërtetë që AlbcControl është me vetëfinancim, por është në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, e cila kishte të gjitha mundësitë që të merrte hua, sikurse ka marrë në vitin 2019 për investime.



