27 të arrestuar dhe 7 në kërkim është bilanci i një operacioni të Policisë së Tiranës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi operacionin gazetari Sokol Bregu vë në dukje se dominon kokaina dhe se është i lartë niveli i saj në treg, për pasojë edhe numri i përdoruesve.
Bregu thekson se ne e kemi humbur luftën ndaj drogës, për shkak të infektimit që ka shoqëria në këto momente.
“Ajo që më ka bërë përshtypje është që dominon kokaina, ka shumë më pak heroinë, ka një ekstazi, në nivele të vogla kanabis sativa. Përdorimi më i madh në Tiranë është kokaina, dhe shitësit kryesor të lëndëve narkotike mbajnë kokainë. Niveli i kokainës në treg në Shqipëri është shumë i lartë dhe niveli i përdoruesve, sepse janë qindra dhe mijëra të rinj që shesin, po ata që blejnë sa janë? Absolutisht shumë.
Sepse një shitës nuk mund të ketë më shumë se 10 klientë. Shumica e të arrestuarve kanë qenë në lagjet kryesore të Tiranës, më të pasurat në kryeqytet. Një SPZ zone e ka detyrim të dërgojë informacion në komisariatin ku është i atashuar. S’është e vështirë për ta gjetur.
Ke nevojë të dish kush është klienti dhe dikush do t’ia sjellë. Klientët janë aq të njohur, sepse janë bërë problem në banesa, lagje. Vrojto klientët dhe dikush do vijë t’ia shesë. Ne e kemi humbur luftën ndaj drogës, për shkak të infektimit që ka shoqëria në këto momente, pasi kemi kaluar në një përqindje aq të madhe, sa për Shqipërinë do ishte më e dëmshme ta luftonte drogën, se sa ta lejonte!”



