Të paktën 26 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një sulm të dyshuar terrorist në rajonin malor të Jammu dhe Kashmir.

Ngjarja ka ndodhur të martën në një destinacion të njohur turistik në Pahalgam, në distriktin malor të Anantnag-ut, sipas autoriteteve lokale.
Sipas informacioneve paraprake, një grup turistësh janë sulmuar me armë zjarri.
Të plagosurit janë dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në spitalin kryesor të distriktit.
Shumica e viktimave mendohet të jenë turistë vendas, ndërkohë që ende nuk është konfirmuar nëse në mesin e të vrarëve apo të plagosurve ka edhe shtetas të huaj.
Inspektori i Përgjithshëm i Policisë në Kashmir, V. K. Birdi, konfirmoi për CNN se sulmi ndodhi në Luginën Baisaran, një zonë që mund të arrihet vetëm në këmbë ose me kalë.
Një dëshmitar okular tha për agjencinë indiane të lajmeve PTI se persona të armatosur të paidentifikuar qëlluan mbi turistët nga një distancë e afërt, duke shkaktuar panik dhe viktima të shumta në vendngjarje.
Autoritetet kanë nisur një operacion kërkimi në zonë dhe pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacione mbi autorët e mundshëm dhe motivin.



