
Data 6 dhe 7 maj, ishte data kur do të duhej të mblidhej Samiti i Zagrebit në Kroaci, por situata e krijuar nga koronavirusi ka bërë që mbledhja mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të zhvillohet online.
Në këtë samit pritet që udhëheqësit e BE të konfirmojnë mbështetjen e tyre për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Ndërkohë pritet që liderët e BE-së dhe udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të shkëmbejnë mendime mbi fazën e re të bashkëpunimit ndaj COVID-19, për të trajtuar problemet socio-ekonomike me të cilat janë përballur vendet.
6 vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Kosovë, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe mënyrën e menaxhimit më të mirë të sfidave të sigurisë.
Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, si përfaqësues i Bashkimit Europian së bashku me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Vor der Leyen.



