Historiani i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Eduart Caka, flet për një studim historik dhe arkeologjik për qytetin e Durrësit të kryer prej tij, së bashku me dy kolegë të Institutit të Arkeologjisë.
Duke folur në studion e lajmeve të MCN TV, ai bëri me dije se u studiuan ndërhyrjet në godinën qeveritare, ku qëndronte princ Vidi, duke nënvizuar se studime ka pasur më parë, por jo lidhur me mënyrën se si është ndërtuar ky objekt.
“Risia e këtij studimi ka të bëjë se ndërthuren dokumente osmane nga arkivi i Stambollit dhe jep të dhëna se si është ndërtuar konaku i Durrësit. Ndërthuret historia me arkeologjinë. Ne pothuajse e kemi detajuar me dokumente, si nga Arkivi i Stambollit dhe ai i Vjenës. Gjatë studimit kemi gjetur dokumente se aty janë gjetur mbetje të periudhës romake. Kemi nxjerrë në pah faktin se ka studime të reja që mund të na ndihmojnë për mënyrën se si janë bërë ndërhyrjet dhe mënyrën se si janë konservuar gjetjet arkeologjike”, u shpreh Caka.
Lidhur me sfidat me të cilat përballet historiografia shqiptare sot, ai tha se nuk e ka kaluar ende periudhën e tranzicionit, për shkak se përballemi me mungesë vizioni të shtetit shqiptar.
“Historiografia shqiptare haset me mungesën e personelit, burimeve njerëzore. Vetëm në arkivin qendror të shtetit janë mbi 1 milion dokumente, në të Stambollit mbi 100 milionë. Kemi mungesë të theksuar punonjësish. Është koha të kemi një vizion të qartë se ku duam ta çojmë historiografinë dhe albanologjinë në Shqipëri. Ka mungesë studiuesish që njohin gjuhët e vjetra, veçanërisht ata që njohin gjuhën e vjetër serbe dhe greke. Për të përgatitur një studiues të mirëfilltë, nevojiten më së pakti 15 apo 20 vjet. Ndaj nevojitet një vizion shtetëror në këtë drejtim. Bashkë me fakultetin e Histori-Filologjisë, po përpiqemi për të futur gjuhën osmane në sistemin Bachelor dhe master”, deklaroi ndër të tjera historiani.
Sipas tij, objektet e ndërtuara në periudhën osmane, imitojnë ato të qendrës së Stambollit.



