Në fshatin Mëzez, në Njësinë Administrative Kashar të Bashkisë Tiranë, banorët vazhdojnë të përballen me mungesën e infrastrukturës bazë, duke jetuar prej vitesh pa rrugë të asfaltuara dhe pa furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.
Ata thonë se janë detyruar të gjejnë zgjidhje vetë, duke hapur puse në oborret e shtëpive dhe duke blerë ujë me botë, sidomos gjatë muajve të verës. Disa banorë rrëfyen vështirësitë që hasin çdo ditë. Dy prej tyre treguan puset që kanë ndërtuar në oborret e shtëpive.
Një banor u shpreh se ka hapur pesë puse ndër vite, duke shpenzuar rreth 2 milionë lekë të vjetra për secilin, ose në total rreth 10 milionë lekë, vetëm për të siguruar ujë për familjen dhe bagëtitë. Sipas tyre, gjatë dimrit puset mund të furnizojnë disi me ujë për larje dhe përdorime të tjera, por në verë ato shpesh thahen dhe uji duhet të blihet patjetër.
Banorët thonë se ujin e pijshëm e blejnë gjatë gjithë vitit, ndërsa për bagëtitë dhe përdorime të tjera furnizohen me botë uji që kushton rreth 30 mijë lekë të vjetra. Në familjen Milloshi, kur ekipi i emisionit “Xhadat” në MCN TV shkuan për të parë nga afër situatën, tre puse ishin hapur në oborr.
Dy prej tyre rezultonin të tharë dhe të shembur nga toka, ndërsa vetëm një pus furnizonte shtëpinë me ujë për përdorime minimale gjatë dimrit. Në verë, familja thotë se mbetet pa asnjë burim dhe detyrohet të blejë ujë si për vete ashtu edhe për bagëtitë.
Sipas Njësisë Administrative Kashar, ankesat e banorëve për mungesën e rrugës dhe të ujit janë përcjellë vazhdimisht në Bashkinë Tiranë. Specialistja në zyrën e Shërbimit, Albana Gjatari, bëri me dije se ankesa e fundit për rrugën është dërguar në mars të vitit 2025, ndërsa për rrjetin e ujësjellësit në tetor të po atij viti. Sipas saj, nga bashkia është komunikuar se në këtë zonë do të kryhet vetëm mirëmbajtje e rrugës, por nuk parashikohen investime të reja, pasi konsiderohet si zonë në zhvillim.
Ndërkohë, për furnizimin me ujë, është kërkuar ndërtimi i një rrjeti të ri ujësjellësi për të gjithë banorët, kërkesë që ende nuk ka marrë zgjidhje. Për të kërkuar një përgjigje zyrtare, gazetarët iu drejtuan edhe Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, ku një qytetar po tentonte të bënte ankesë pranë sportelit.
Një punonjëse e arkës u soll në mënyrë arrogante ndaj tyre dhe më pas u përplas fizikisht me operatorin, duke tentuar t’i ndalonte filmimet. Ajo e shtyu operatorin jashtë ambienteve dhe mbylli derën me çelës, duke kërcënuar se do të thërriste policinë.
Operatori vijoi të filmonte nga jashtë, ndërsa gazetari qëndroi brenda ambienteve të institucionit. Më pas, në vendngjarje mbërriti zëdhënësja për mediat e institucionit, e cila i ftoi gazetarët të ngjiteshin në zyrën e drejtorit për të diskutuar çështjen, por pa praninë e kamerave. Biseda u regjistrua nga gazetari me telefon.
Drejtori i UKT-së deklaroi se nuk ishte në dijeni të situatës konkrete në fshatin Mëzez, por falënderoi median për sjelljen e problemit në vëmendje dhe premtoi se çështja do të ndiqet dhe do të trajtohet në bashkëpunim me gazetarët.
Një prej qytetarëve ka dorëzuar zyrtarisht ankesën, ndërsa komunikimi me zëdhënësen e institucionit dhe strukturat përkatëse është në vijim. Banorët e Mëzezit shpresojnë që pas vitesh pritjeje, problemet e tyre me rrugën dhe furnizimin me ujë të marrin më në fund një zgjidhje konkrete.



