Kreu i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar sot një mbledhje me dyer të mbyllura me Kryesinë e Partisë Demokratike dhe ish-grupin parlamentar.
Gjatë mbledhjes ndër të tjera është diskutuar rreth situatës pas tërmetit, për miratimin e paketës anti-shpifje apo edhe për dënimin e ish-deputetit të PD, Ervin Salianji me një vit burg nga Gjykata për dëshmi të rreme.
Mësohet se kreu i PD-së ka kundërshtuar paketën anti-shpifje. Sipas tij Rama kërkon tu mbyllë gojën mediave se po i nxjerrin abuzimet. Basha ka thënë gjatë mbledhjes së kryesisë se qëllimi i Ramës është edhe mbyllja e gojës së opozitës duke shtuar se zgjatja e gjendjes së emergjencës u bë për të justifikuar mungëesën e vullnetit të tij për të plotësuar kushtet e Bundestagut.
Basha ka theksuar se gjendja ekonomike e kriza politike është rënduar pas dështimit të qeverisë që të menaxhojë situatën.
Ai u shpreh se Edi Rama me synim bllokimin e zgjidhjes së krizës politike mban peng reformën zgjedhore. Basha ka garantuar se PD dhe aleatët e kanë zgjidhjen për reformën zgjedhore.
“Edi Rama për të penguar zgjidhjen e krizës politike ka bllokuar edhe Reformën Zgjedhore, ka penguar gjithëpërfshirjen për realizimin e saj, po bën gjithçka për ta shtyrë dhe për ta vonuar. Ne këtë nuk mund ta pranojmë. Miratimi dhe më pas implementimi i Reformës Zgjedhore, me konsensus, është parakusht për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe lokale”, tha kreu demokrat.
Basha sqaroi ish-deputetët dhe anëtarët e kryesisë së po punohet për zgjidhje politike dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.
Në lidhje me dënimin e Ervin Salianjit, Basha tha: “Ervin Salianji mori dënim politik sepse denoncoi përfshirjen në trafik droge të Ministrit të Brendshëm. Dënimi i Salianjit tregon se si po e përdor Rama drejtësinë. Tahiri që kanabizoi Shqipërine me Ramën dënohet me punë në shërbim të komunitetit, Salianji që denoncoi trafikun e drogës, dënohet me burg”.



