Kanë mjaftuar dy orë reshje për ta kthyer parkun “Rinia” në një pellg të madh me ujë. I inauguruar pak ditë më parë, me një kosto prej 104,629,747 lekësh të reja, ky investim i Bashkisë së Tiranës nuk e ka kaluar me sukses testin e parë.
Projekti për rehabilitimin e parkut “Rinia” u përmbyll më 1 qershor, kur u bë edhe inaugurimi i tij, pikërisht në ditën e fëmijëve.
Pjesa e përmbytur është pikërisht ajo e dunave, të ideuara nga projektuesit për të kryer funksionin e një muri akustik dhe për të nxitur aktivitetet për fëmijë.
“Duke qenë se ka trafik, Bulevardi, Lana, “Myslym Shyri”, Ministritë, zona e Tajvanit te rruga “Ibrahim Rrugova”, janë rrethuar nga duna të vogla për të ruajtur akustikën. Edhe tani që flasim nuk dëgjohet asnjë zhurmë sepse akustika është e mrekullueshme, nuk ndihet që je në mes të një zonë urbane”, tha kryebashkiaku Veliaj gjatë inaugurimit.
Dunat ndoshta mund t’i bëjnë fëmijët të harrojnë se janë në kryeqytet, por disa minuta shi si ai i ditës së sotme do t’ua kujtojnë menjëherë se janë në Tiranën e rrugëve të përmbytura.



