
Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç, do të takohen të dielën në Bruksel, për të nisur fazën finale të dialogut mes dy vendeve.
Dy ditë para takimit, kreu i shtetit nuk i ka bërë të ditura temat do të diskutohen në kryeqendrën evropiane. Në anën tjetër, monitoruesit e dialogut thonë se nisja e kësaj faze pa një konsensus të gjerë politik mund ta rikthejë në Kuvend skenarin e Demarkacionit, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Sipas tyre, po qe se kjo fazë përfundon ashtu siç po nis, pa një dakordim të gjerë, marrëveshja finale Kosovë – Serbi, e cila kërkon 80 vota për t’u miratuar në Kuvend, mund të marrë disa vjet për t’u miratuar, siç kishte ndodhur me Demarkacionin me Malin e Zi.



