Misioni ndërkombëtar i monitorimit EURALIUS, i cili i ofron mbështetjen institucioneve shqiptare për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në vijim të reformave tërësore në drejtësi, ka paraqitur para Këshillit krijimin e sistemit elektronik të të dhënave për dosjet personale të prokurorëve.
Ky sistem lind si nevojë për aksesim sa më të shpejtë të këtyre të dhënave të cilat menaxhohen nga sektori i burimeve njerëzore në KLP dhe përmban mekanizmat e kërkimit në bazën e të dhënave, statistikave dhe raportimeve si dhe formate standarde të dokumenteve.
Sistemi shërben si një platformë e unifikuar të dhënash, të cilat shërbejnë për vlerësimin e prokurorëve, transferimin, promovimin dhe procedurat disiplinore, me synim përmirësimin e procesit të punës së Këshillit. Sistemi përmban 5000 dokumente të skanuara dhe mbi 10000 elemente meta data të shkruar si pjesë përbërëse e dosjeve personale të 340 prokurorëve.



