Një luftë masive tregtare po afrohet pasi Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi të premten në mbrëmje se do të vendosë "absolutisht" tarifa për mallrat nga BE.
Trump ka deklaruar sërish se do të vendosë tarifa ndaj produkteve nga Bashkimi Evropian, duke e akuzuar bllokun për praktika të padrejta tregtare.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se “absolutisht” do të vendoste tarifa mbi mallrat nga BE-ja.
Ai deklaroi se SHBA-ja trajtohet “tmerrësisht keq”, duke pretenduar se tregjet evropiane janë kryesisht të mbyllura për eksportet amerikane.
“Ata nuk i pranojnë veturat tona, nuk i pranojnë produktet tona bujqësore, në thelb, nuk pranojnë pothuajse asgjë”, tha 78-vjeçari.
Lideri amerikan theksoi deficitin e madh tregtar mes SHBA-së dhe BE-së, duke premtuar se do të ndërmarrë masa “të rëndësishme” kundër bllokut, megjithëse nuk dha detaje të mëtejshme.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump vendosi tarifa prej 25 për qind për importet e çelikut dhe 10 për qind për importet e aluminit nga BE, Kanadaja dhe Meksika, duke ndezur një luftë tregtare me bllokun, i cili u kundërpërgjigj me tarifa për mallrat amerikane duke përfshirë uiski, motoçikleta dhe xhins, me vlerë rreth 6 miliardë dollarë.
Komisioni Evropian ka thënë se është i gatshëm të hakmerret sërish nëse Trump vendos tarifa këtë herë.
BE eksportoi mallra me vlerë 576.3 miliardë dollarë, gati 20 për qind e totalit të eksporteve të saj në SHBA në vitin 2023, sipas të dhënave të Byrosë së Regjistrimit të SHBA-së, duke e bërë Amerikën partnerin e dytë tregtar më të madh të bllokut.
Trump të premten njoftoi gjithashtu tarifa 25 për qind për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika fqinje, dhe 10 për qind për importet nga partneri kryesor tregtar Kina, të cilat ai tha se do të hyjnë në fuqi të shtunën.



