
Drejtoresha financiare e gjigantit kinez “Huawei”, Meng Wanzhou, vajza e themeluesit, është arrestuar në Vankuver të Kanadasë, bazuar në një urdhër arresti të lëshuar nga Amerika.
SHBA-të kanë kërkuar ekstradimin e saj, gjë që pritet të vendoset në një seancë të caktuar për të premten. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Drejtësisë e Kanadasë. Urdhri i arrestit është lëshuar për shkeljen e sanksioneve amerikane ndaj Iranit dhe vjen pikërisht në ditën kur kompania kineze është ndaluar nga British Telecom për "rrezik të spiunazhit".
Po ashtu, urdhri vjen pas ftesës që SHBA-të u bënë aleatëve që të shmangin përdorimin e Huawei-t për telekomunikacion.
Ky zhvillim rrezikon pasoja në marrëdhëniet diplomatike mes dy gjigantëve të ekonomisë botërore, vetëm pak ditë pasi dy presidentët ranë dakord për një “armëpushim” në luftën tregtare.
Ambasada Kineze u ka kërkuar në mënyrë zyrtare autoriteteve kanadeze të lirojnë të arrestuarën. Ndërsa për Kinën, kjo shënon vijimin e një serie dhunimesh të të drejtave të njeriut. “Nuk kemi dijeni që ajo të ketë kryer ndonjë shkelje”, thuhet në një deklaratë të kompanisë “Huawei”.
"Ne i kemi paraqitur kërkesa zyrtare Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, për të sqaruar menjëherë arsyet për arrestimin dhe insistojmë në lirimin e personit të arrestuar", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Geng Shuang, në një konferencë për shtyp. Ndërkohë, ky zhvillim është ndier menjëherë në në tregje. Të gjitha qendrat financiare aziatike kanë shënuar rënie.



