
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ vendosi sot të hapë kutitë në 24 Qendra Votimi për qarkun e Beratit, pas ankimimeve të LSI dhe PD për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këtë qark.
“Ankimet 34 e 35 të subjekteve zgjedhore LSI dhe PD, lidhur me kundërshtimin dhe shpalljen e pavlefshëm të zgjedhjeve në qarkun Berat. Në vlerësim të provave e fakteve të paraqitura nga palët, KAS vendosi:
“Ngarkohet administrata e KQZ-së për të marrë të gjitha masat për transportin dhe hapjen e kutive të sipërpërmendura për administrim e provave të sipërcituara. KAS me shumicë votash vendosi mospranimin e kërkesës së PD-AN për marrjen e provave dhe informacioneve shtesë të cituara në kërkesën ankimore. Me kërkesë timen dhe Ledio Brahos, dy anëtarëve të KAS, vendosëm të administrojmë si provë të dhënat e kryqëzuara së pajisjes së identifikimit të zgjedhësve të zonës zgjedhore qarkut Berat për të bërë të mundur evidentimin e votimeve të dyfishta ose familjare sipas pretendimit të bërë nga PD-AN”, tha anëtari i KAS Elvis Çefa.
Seanca e radhës do të mbahet ditën e hënë, në orën 10.00.
Kujtojmë se, PD dhe LSI kanë kërkuar nga KAS që zgjedhjet e 25 prillit për Qarkun e Beratit të ripërsëriten, pasi sipas tyre ka pasur parregullësi.
09:21h- PD e LSI kërkuan rivotim/ KAS vendos sot për ankimimet në qarkun e Beratit
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, (KAS), do të mblidhet sot prej ores 10, për të dhënë vendimin pas shqyrtimit të ankesave për qarkun e Beratit. KAS në një njoftim me një video të shkurtër bëri me dije një ditë më parë se dhënien e vendimit e shtyu për sot, pasi po merr në konsideratë mundësinë e pranimit të disa provave shtesë dhe se do t’ju duhej kohë për t’i verifikuar.
Gjatë mbledhjes së zhvilluar një ditë më parë pati debate mes përfaqësuesve të subjekteve të opozitës, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste me anëtarët e KAS për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në qarkun e Beratit. Mbledhja nisi me paraqitjen e dokumenteve shtesë që opozita i quan prova në lidhje shkeljet dhe pretendimet për këtë qark.
Të parët që folën në këtë mbledhje ishin përfaqësuesit e opozitës. Altin Kaziaj, përfaqësuesi i LSI që kërkon rinumërim të votave tha se në Berat në një prej qendrave të votimit ka një mospërputhje të numrit të votuesve me fletët e votimit dhe ata që janë regjistruar në pajisjen e identifikimit (PEI). Ndërkohë që ky fakt u kundërshtua nga juristi i Partisë Socialiste, Eridian Salianji, i cili tha se janë bërë hetime dhe se të gjithë komisionerët janë dakordësuar për problematikat e mundshme.
Partia Demokratike pretendon se në Berat, socialistët blenë votat me 50 mijë lekë, ndërsa akuzojnë se shteti u vendos në dispozicion të kandidatëve të PS.
Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim pretedon se në Qarkun e Beratit kësaj force politike iu mor mandati për 77 vota, duke akuzuar për shkelje të rënda gjatë procesit të votimit.



