Një operacion i komisariatit të policisë Kamzë, i koduar “Parandalimi”, ka vënë në pranga dy persona që lëviznin me armë me vete dhe që dyshohet se do të vidhnin në një banesë.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve P. L., banues në Pezë Helmës, i dënuar më parë për vjedhje dhe Gj. H., banues në Kamzë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Në Pezë Helmës, shërbimet e policisë kanë lokalizuar automjetin tip “Volkswagen” me të cilin udhëtonin shtetasit P. L., dhe Gj. H.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, dy krehra, veshje dhe sende të tjera.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas po përgatiteshin për të kryer vjedhje në një banesë.
Ndaj të dyshuarve materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



