Duket se propozimi më i fundit i bërë nga ndërkombëtarët mbi një konsensus për Reformën në Drejtësi, ai që u bë publik të dielën si një “propozim hibrid” nga Ndihmës Sekretarja Nuland, është pritur me optimizëm nga kreu i ekzekutivit, Edi Rama.
Në një postim në facebook, duke e shoqëruar dhe me një foto nga vizita e Victoria Nuland në zyrën e tij në Kryeministri, Rama e cilëson propozimin e ri si “shprehje kuptimplotë e mbështetjes së partnerëve tanë strategjikë, për popullin shqiptar dhe Shqipërinë në rrugën e modernizimit e të integrimit europian”. Gjithashtu Kryeministri e cilëson si një forcim të besimit dhe të respektit nga ana e ndërkombëtarëve për qeverinë që drejton duke uruar edhe bashkimin e të gjithëve për miratimin e Reformës në Drejtësi.
Më poshtë postimi i plotë në Facebook i Kryeministrit Rama
Propozimi i fundit për konsensus për Reformën në Drejtësi, paraqitur nga vetë Ndihmës Sekretarja e Shtetit në emër të SHBA/BE, është një shprehje kuptimplotë e mbështetjes së partnerëve tanë strategjikë, për popullin shqiptar dhe Shqipërinë në rrugën e modernizimit e të integrimit europian. E gjithë kjo përpjekje e jashtëzakonshme, ku ne kemi kontribuar me vullnet, profesionalizëm e vendosmëri, ka forcuar më tej besimin e partnerëve tanë të mëdhenj dhe respektin për qeverinë tonë. Uroj që finalizimi i kësaj përpjekjeje t'i bashkojë të gjithë në miratimin e Reformës në Drejtësi.
