Avokati i 31-vjeçarit Ilirian Selmani i akuzuar për vrasjen e 52-vjeçares Kozeta Teço në Pogradec, Denis Mekolli, deklaron se klienti i tij mohon të ketë kryer krimin.
Duke folur për mediat ai deklaroi se klienti i tij mohon të ketë pasur lidhje dhe bashkëjetesë me viktimën.
I mbrojturi nga unë në asnjë moment nuk e ka pranuar autorësinë e kryerjes së veprës penale, as në polici as para gjykatës dhe as gjatë procedurës të pyetjeve të bëra ndaj tij.
Ka mbajtur një qëndrim që ka të bëjë me personalitetin e tij që është një djalë shumë i mirë dhe kurrsesi nuk mund të kryej një krim kaq të rëndë. Edhe faktin e bashkëjetesës me viktimën ai nuk e ka pranuar.
Ai ka pranuar që ka pasur një njohje, një njohje në kuptimin e fjalës si një njohje shoqërore apo çdo lloj njohje tjetër, por jo bashkëjetesë. Bashkëjetesa i referohet edhe ligjit dhe përcaktimeve të bëra në kodin e familjes se si është e ndërtuar bashkëjetesa, kurrsesi nuk jemi më rastet e bashkëjetesës.
Prokuroria ka paraqitur një sërë provash për të ruajtur konfidencialitetin e këtij hetimi. Ne nuk prononcohemi në lidhje me këto prova të garantuara nga ana e policisë deri në këto momente, por me bindje ne si mbrojtje deklarojmë para jush që prova dhe dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova për të mbrojtur prej meje si autor i kësaj vepre penale nuk ka.
Kjo është bindja jonë deri në këto momente. Ai nuk ka pranuar në asnjë moment autorësinë e krimit të ngarkuar ndaj tij. Po kështu ka shprehur keqardhje për viktimën duke qenë i shokuar në lidhje me lajmin që ka marrë për të.
Krimi ndodhi në lagjen nr. 1, Pogradec më 28 korrik, ku ngjarja u raportua fillimisht si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj.
Efektivët e policisë, gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së jashtme të trupit të pajetë, kanë krijuar dyshime se shkaku i humbjes së jetës së 52-vjeçares nuk ishte asfiksia, sepse në trupin e saj konstatuan dëmtime të dyshuara të shkaktuara me thikë dhe si i dyshuar u arrestua 31-vjeçari Selmani.



