Kryeredaktori i MCN TV, Leonard Mitro, sheh një përpjekje të re të ndërkombëtarëve për të penguar dështimin e reformës në drejtësi.
Mitro tha në edicionin e lajmeve se ka një qasje të re edhe ndaj opozitës, e cila nuk po shihet më si “opozita e non gratës”.
Mitro e lexon edhe fjalimin e fundit të kryeministrit si një apologji përballë ndërkombëtarëve, që buron nga situata e krijuar me korrupsionin.
"Jemi në një situatë ku si të thuash ka plasur gjithçka sheshit. Po ta paralelizojmë Shqipërinë si një banesë, ku tualeti ka plasur, dhe fekalet janë shpërndarë në të gjithë vendin. Një situatë me të cilën është pajtuar më në fund edhe vet qeveria, edhe kryeministri. Me sa duket ka dalë jashtë kontrollit përfshirja në korrupsion e zyrtarëve, nga më të ulëtit deri te nivelet e larta, çka me shumë gjasë e detyroi kryeministrin të dalë dhe të bëjë një ekspoze dy orëshe mbi atë çfarë përfaqëson mazhoranca socialiste sot. Në kushtet kur kanë plasur të gjitha kryeministri na tha ‘ne jemi të menderosur, por vazhdojmë të jemi krenar për atë çka kemi bërë për vendin’. Në qoftë se do bëjmë një metaforë të fjalimit të tij, Nga koha kur kishim një dru të shtrembër që prishte gjithë stivën, siç ishte rasti i ish-ministrit Saimir Tahiri, tani kemi një stivë të gjithë të shtrembër, që ka prishur të gjithë Shqipërinë. I gjithë ky dorëzim. nëse mund ta quajmë kështu, vjen në kontekstin e shumë skandaleve që kanë ndodhur dhe që po i mbivendosen njëra-tjetrës. Plas në ministrinë e Mjedisit, plas me inceneratorët, më pas plas në Bashkinë e Tiranës, etj. Përpara kësaj situate besoj që ndërkombëtarët janë aktivizuar për të injektuar një tjetër përpjekje, në mënyrë që Shqipëria të mos dështojë në projektin e Reformës në Drejtësi, që pavarësisht se kryeministri tha që ishte nismë e PS, me sa duket pa mbështetjen dhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, druaj se mund të ishte në këtë fazë".
"Deklarata e djeshme e ambasadës amerikane na fton të lexojmë një situatë të re politike. Në qoftë se deri dje ishte mazhoranca që kishte edhe mbështetjen publike të ambasadave të huaja, tani çdo mesazh është më i distancuar dhe më i kujdesshëm. Që do të thotë Ambasada Amerikane në Tiranë nuk kujdeset të veçojë palët në mesazhin e djeshëm, por fliste për të gjithë shqiptarët që synojnë të ardhmen, integrimin, etj. Në këtë situatë po merr opozita një rol të ri, s’është më opozita e non gratës, me të cilën kryeministri që kemi sot deklaronte se nuk bashkëpunonte në asnjë rrethanë. Sot me sa duket janë të gjithë njësoj, janë në të njëjtën vathë, edhe kryeministri është brenda stallës të non gratave dhe opozitës së non gratës, siç e ka cilësuar ai vetë”.
"Si mund t’i mbrojë të gjithë? Po dalin shumë personazhe që duhen mbrojtur. I gjithë fjalimi i kryeministrit ishte një apologji e tij përballë ndërkombëtarëve mendoj, për situatën që është krijuar me korrupsionin, të reflektuar në raportet e DASH dhe BE. Them apologji përballë ndërkombëtarëve, sepse përballë shqiptarëve nuk shqetësohet të bëjë ndonjë apologji të posaçme, sepse zgjedhjet kanë treguar që korrupsioni nuk është vendimtar në orientimin e votës dhe preferencës së saj në Shqipëri. Duke qenë se opozitës po i jepet një rol nga partnerët, kryeministri tenton të negociojë një lloj imuniteti të tij politik me ndërkombëtarët. Kjo është avokatia që kryeministri i bëri vetes përballë partnerëve të huaj, të cilët besoj s’kanë më dyshime apo skepticizëm që qeveria që drejtohet nga z.Rama ka vullnet për të luftuar korrupsionin”.
I pyetur për deklaratat e bëra më herët nga kryebashkiaku Veliaj, Mitro shprehet:
"Veliaj në kuptimin metaforik tha që të gjithë ne që kemi bërë gabime, që kanë mbrapa fatura të majme nga paratë publike, janë në një farë mënyre pacientë që duhet të shërohen. Në këtë kuptim edhe z.Veliaj s’është as më shumë e as më pak, një pacient apo viktimë e retorikës së tij politike, për të mbrojtur një sistem dhe një model të qeverisjes lokale që po rezulton i korruptuar në çdo qelizë. Z.Veliaj është një personazh që është përpjekur në gjitha këto vite të na paraqesë një Shqipëri virtuale, jo vetëm ai por edhe vet kryeministri, ministrat e tjerë, por në fakt në terren, në praktikë, kemi një Shqipëri tjetër, ku drejtorët krijojnë kompani të vetat dhe nga paratë publike ia japin po vetes së tyre. Në këtë kuptim z.Veliaj shpresoj dhe uroj që ta shërojë veten e tij në radhë të parë nga e gjithë kjo paradigmë që e shoqëron si personazh qëkurse ka hyrë në politikë, por të mos t’i shpëtojë drejtësisë në asnjë rrethanë nëse ai ka përgjegjësi ligjore si titullar për të gjitha skandalet që lidhen me bashkinë e Tiranës, duke nisur nga inceneratori, duke vazhduar me dosjen '5D' ”.
I pyetur mbi takimin e Ramës me diasporën në Athinë, Mitro thotë:
"Ka patur komente, është ndjekur me vëmendje edhe nga politika dhe media në shtetin fqinj. Gjithçka e ngritur mbi simbolikat që përcolli vet video e postuar nga kryeministri Rama. Simbolikat ishin të tilla që u lexuan nga disa si përpjekje për të orientuar një frymë relaksimi dhe pajtimi në një farë mënyre të marrëdhënieve që janë krijuar për shkak të çështjes ‘Beleri’, që të gjithë e njohim. Simbolika e videos, ku shkriheshin bashkë imazhe të flamujve të dy vendeve, përqafime të z.Rama me ish-kryministrin Tsipras, pastaj me z.Mistotakis, busti në Dropull i babait të Mitsotakis. Të gjitha këto u panë si një përpjekje e z.Rama për të përcjellë disa kode që nënkuptojnë një kthesë në raportet me Greqinë, por që vetë kryeministri Mistotakis u tregua i kujdesshëm për të mos krijuar një valë reagimesh, që mund të acaronin deri diku marrëdhëniet jo vetëm marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe komunitetit shqiptar që jeton dhe punonnë Greqi. Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta përsëris Z.Rama nuk është një partner i besueshëm sidomos sa i takon raporteve me partnerët ndërkombëtar, është i prirur gjithmonë nga interesa që lidhen me imazhin e tij dhe politikën e ditës. Por nuk mendoj që kjo vizitë me diasporën dhe emigrantët shqiptarë në 12 maj do të shënojë ndonjë zhvillim të ri, apo një hap të ri në kontekstin e përmirësimit ë marrëdhënieve mes dy vendeve”.



