Mungesa e investimit në kalanë e Kaninës në Vlorë, ka ndikuar negativisht tek turistët këtë sezon. Shumë prej tyre shprehen të zhgënjyer nga ajo çfarë u ofron ky atraksion turistik, ndonëse paguajnë edhe një tarifë për ta vizituar atë.

Drejtuesi rajonal për trashëgiminë kulturore, Orgest Feimi, thotë se aktualisht nuk ka një projekt për rijetëzimin e kalasë dhe se ajo çfarë ata bëjnë, është vetëm mirëmbajtja.
Edhe pse në këtë gjendje, Feimi thotë se Kalanë e vizitojnë çdo ditë turistë, ku mbizotërojnë shtetasit nga Europa Perëndimore.
Turistët që i takuam në ambientet e kalasë, shprehen të zhgënjyer nga ajo që gjetën aty. Pritshmëritë kanë qenë më të mëdha, si ekspozita brenda saj, lokale e vende argëtimi.
Përpos këtyre, thonë se mungojnë tabelat informuese që të tregojnë se si ka qenë kalaja më parë, por edhe të japin detaje mbi rëndësinë dhe historinë e saj.



