Ministria e Mbrojtjes bën me dije se 33 familje janë evakuuar në Vlorë pas reshjeve të dendura që shkaktuan përmbytje në qytetin bregdetar.
“Ndërkohë, janë evakuuar 33 familje (55 persona), të cilët janë sistemuar në ambientet e konvikteve nga Bashkia Vlorë. Në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile, ku mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, u diskutua për evidentimin e zonave të cilat kanë prezencë uji dhe kanë nevojë për ndërhyrje, menaxhimin e trafikut në qytet, furnizimin e pandërprerë me energji elektrike të hidrovoreve dhe stacioneve të pompimit, koordinimin dhe menaxhimin ndërmjet strukturave të bashkisë dhe policisë për familjet e evakuuara, ndjekjen e situatës deri në normalizimin e plotë të saj, si dhe pastrimin e kanaleve të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve”, thuhet në njoftim.
Akset kryesore rrugore në Vlorë si rruga Transballkanike, bulevardi Vlorës, Lungomare, rrugët "Gjergji Araniti", "Gjergj Kastrioti" dhe "Kosova" u zhytën sot në ujë. Me qindra automjete mbetën të bllokuara në rrugët e qytetit, të fikura dhe jashtë funksionit.



