Situata me përmbytjet në Durrës vijon të jetë e rënduar, ku në total janë 1 mijë banesa të përmbytura dhe 304 banorë të evakuuar. Në një raportim për Mcn Live korrespondentja Ervina Garo raporton se së fundmi ka dalë edhe lumi Erzen nga shtrati, që rrezikon fshatrat përreth.
“Një tjetër ditë e vështirë për banorët e zonave të dëmtuara. Zona më problematike është ajo e ish-Kënetës, ku lëvizjet e banorëve janë limituar ndjeshëm. Ka prani të ujit në brendësi të banesave të tyre. Bëhet fjalë për mbi 300 banorë të evakuuar dhe shumë familje të tjera kanë shkuar te të afërmit. Kemi lehtësi në disa segmente rrugore, por jo te të gjitha. Është një situatë ku banorët ende thonë që s’kanë arritur në banesat e tyre përfaqësues të autoriteteve. Lajmi i fundit flet edhe për daljen e lumit Erzen nga shtrati. Deri në këtë moment ka vetëm një familje të evakuuar. Janë dhjetëra hektarë toka bujqësore nën ujë. Pakënaqësia e banorëve do të tregohet sot përmes një proteste që do të zhvillohet sot. Flasin për një situatë të paprecedentë. Kemi një prani uji prej tre ditësh. Mënyra e menaxhimit ka treguar sipas banorëve që Bashkia e Durrësit nuk funksionon”.



