Kamala Harris dhe Donald Trump dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbajtën paralelisht tubimet e tyre të radhës në shtetin e Wisconsin ndërsa sondazhet tregojnë një diferencë gjithnjë e më të ngushtë të tyre. Gjatë fjalës së saj kandidatja demokrate Kamala Harris u fokusua tek rëndësia e këtyre zgjedhjeve, plani i saj ekonomik me në thelb uljen e taksave, konflikti Izrael-Gaza si dhe garantimi i lirisë riprodhuese të grave nëse do të zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë ku nuk munguan as akuzat ndaj rivalit të saj Donald Trump për dëshirën që ai ka për të marrë vendime për trupat e grave.
Na kanë mbetur gjashtë ditë në një nga zgjedhjet më të rëndësishme të jetës sonë. Donald Trump mendon se duhet të marrë vendime për atë që bëni me trupin tuaj. Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo.
Ndërkohë ish-presidenti republikan Donald Trump i veshur me një jelek fosforeshent ngjyrë portokalli i ulur në sedijen e pasme të një kamioni që përdoret për mbledhjen e mbeturinave (një formë ironizimi e deklaratave të fundit për çështjen e mbeturinave të Porto Rikos) premtoi mbrojtjen e grave nga emigrantët dhe raketat e vendeve të huaja.
Pavarësisht nëse grave u pëlqen apo jo, unë do t'i mbroj ato. Unë do t'i mbroj ato nga emigrantët që vijnë si dhe nga vendet e huaja që duan të godasin ne me raketa.
Pavarësisht deklaratave të dy kandidatëve për president ajo që ka tërhequr vëmendjen është diferenca tejet e ngushtë e tyre në sondazhet e fundit ku Donald Trump gëzon një epërsi të madhe ndër radhët e votuesve burra ndërsa Kamala Harris mbetet e preferuara për gratë. Ndërkohë Wisconsin ku Harris dhe Trump mbajtën tubimet e tyre të radhës mbetet një nga shtatë shtetet kryesore të fushëbetejës së tyre.



