Kryeministri Edi Rama ka përsëritur sot ftesën për dialog ndaj protestuesve, duke vendosur sërish sofrën e gurtë para Kryeministrisë me disa letra ku shkruhet "dialog".
Njësoj si në dy ditët e fundit, rrotull sofrës mungojnë karriget, të cilat u thyen dhe u dogjën nga protestuesit gjatë tubimeve të mëparshme.
Ftesa e radhës e kreut të qeverisë vjen në një kohë kur pjesëmarrja në bulevard ka pësuar një rënie, ku ditën e djeshme një numër i vogël pjesëmarrësish tentuan akte dhune duke djegur kartonë te Ministria e Arsimit dhe duke i vënë flakën një peme.
Ndërsa tensionet vazhdojnë, zëra nga radhët e studentëve deklarojnë se janë kundër dhunës dhe kërkojnë një zgjidhje politike.
Kjo situatë vjen fill pas prezantimit të paketës së re qeveritare anti-dhunë, e cila parashikon ashpërsim të ndjeshëm të gjobave dhe dënimeve jo vetëm për personat që kryejnë akte dhune, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit në tubime të dhunshme.



