Shumë prej nesh mendojnë se në momentin që një njeri vdes, të gjitha funksionet e tij jetësore ndalojnë. Të tjerë thonë se edhe pas vdekjes, sidomos në minutat e para ka diçka. Në fakt, një studim i ri shkencor u jep të drejtë të dytëve.
Doktorët kanë gjetur prova shkencore se truri i njeriut tregon shenja jete edhe pasi është deklaruar klinikisht i vdekur. Një pacient ka rezultuar se kishte aktivitet të trurit edhe 10 minuta pasi zemra i kishte ndaluar. Valët e trurit ishin të ngjashme me ato që lëshohen gjatë gjumit të thellë.
Mjekët kanadezë studiuan ritmin e rrahjes së zemrës dhe aktivitetin e trurit të katër pacientëve që mbaheshin në jetë me makineri. Pas fikjes së këtyre të fundit, në 1 nga 4 rastet u pa se aktiviteti i trurit vijoi edhe për 10 minuta pas vdekjes klinike. Mjekët kanadezë thonë se ky rast është i pashpjegueshëm dhe i jashtëzakonshëm.



