
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi reagon lidhur me situatën e zjarreve në zonën e Sazanit, të cilat vijojnë prej disa ditësh.
Peleshi thotë se Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës sonë për të angazhuar sot, herët në mëngjes një avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit në Sazan.
Ekspertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren.
Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE për ndihmën e pakursyer në emergjenca të tilla dhe jo vetëm.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes thotë se pas një operacioni prej 48 orësh për vënien në kontroll dhe fikjen e zjarrit në ishullin e Sazanit, ndonëse është bëëe e mundur vendosja në kontroll dhe në perimetër u vlerësua e nevojshme ndërhyrja nga ajri.
Për këtë qëllim një avion tip Canadair CL 415 që vjen nga Greqia aktivizohet sot, herët në mëngjes për shuarjen nga ajri të zjarrit në ishullin e Sazanit. Avioni Canadair CL 415 do të hyjë në operacion për shuarjen e zjarrit nga ajri si mbështetje e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Emergency Response Coordination Centre (ERCC), pas kërkesës së bërë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës së Shqipërisë.
Ekspertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve në një terren tejet të vështirë, ku me gjithë punën e palodhur të forcave tokësore nuk është arritur të izolohen të gjitha vatrat.
Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri, puna në terren, krijimi i brezit të shpyllëzimit mbeten thelbësore për izolimin total të zjarrit në një zonë të ish-repartit ushtarak.
Avioni Canadair CL-415 është projektuar posaçërisht për shuarjen e zjarrit nga ajri, por ai mund të kryejë edhe role të tjera të ndryshme, të tilla si kërkim-shpëtimi dhe transporti.



