
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas incidentit të regjistruar gjatë natës në Zubin dhe Zveçan.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti shkruan se djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin, Patok, nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme.
Kurti shkruan se dhe në Zveçan janë hedhur dy bomba dore që nuk kanë shpërthyer. Kryeministri i Kosovës shkruan se disa individë po sulmojnë shtetin dhe po cenojnë paqen.
Sipas Kurtit Serbia po përdorë qytetarët e Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme.
Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar.
Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen.
Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje.
Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen.
Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë.
U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.”, shkruan Kurti.



