Në 24 orët e fundit, policia ka gjobitur 431 qytetarë, për moszbatimin e masave kundër Covid-19.
Me masën administrative 3 000 lekë secili janë gjobitur 415 qytetarë, që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’u tregojnë punonjësve të policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e policisë kanë evidentuar 4 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.
Për secilin nga subjektet është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve në fundjavë janë konstatuar 12 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 22:00, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.



