Partia Socialiste do t’i finalizojë festimet e 35-vjetorit të saj me një takim përmbledhës në Tiranë. Pas turit nëpër qarqe, ku janë vlerësuar disa prej figurave që kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e kësaj force politike, kryetari Rama i ka ftuar socialistët në një takim të hapur vetëm pak metra nga Kryeministria.
Aktiviteti është parashikuar të mbahet në sheshin “Italia”, më datë 12 qershor, në orën 18:00. Ora përkon me orën e nisjes së protestës së përditshme që po mbahet në bulevardin “Dëshmorët e kombit” prej më shumë se 10 ditësh. Po ashtu, edhe lokacioni përkon me itinerarin që ndjekin protestuesit pasi protestojnë para Kryeministrisë.
Burime pranë grupit organizator bënë të ditur për MCN TV se socialistët po angazhohen që pjesëmarrja të jetë sa më e lartë.
Ideja e këtij aktiviteti përmbledhës duket se është hedhur pasi protesta kundër resorteve në Zvërnec e Sazan mori përmasa të mëdha. Një ditë më parë, gjatë takimit me socialistët e Fierit, ku nuk e kurseu ironinë ndaj protestuesve por edhe blogerave për pozicionimin publikisht në krah atyre që dalin përditë në shesh, Rama e paralajmëroi mbajtjen e një aktiviteti të tillë, duke u shprehur se “ju pres deri më datë 12”.



