Qeveria i ka dhënë statusin e Investitorit Strategjik kompanisë së lidhur me Jared Kushner, ku investimi në Sazan kap shifrën 1,4 miliardë euro.
Gazetarja Ola Xama bën me dije në edicionin e lajmeve në MCN TV se procedura në lidhje me projektin s’është respektuar sepse është bërë pa garë.
Ajo thekson po ashtu se projekti duhet të bëhet i operueshëm dhe të priten 7-15 vjet për të parë nëse nëse do të kthehen pas afro 1,4 miliardë euro.
Duke folur mbi ligjin për investitorin strategjik, Xama tha se ky është një ligj që kufizon garën.
“Është një investim në vlerë të konsiderueshme, dhe për nga rankimi i statuseve të dhëna të investimeve strategjike, është vlera e dytë më e madhe pas investimit në Portin e Durrësit. Vlera është e konsiderueshme sa i takon investimit sidomos në turizëm. Nëse do kalkulojmë që projekti do shtrihet në një fazë zbatimi, bëhet fjalë për një vlerë investimi 140 milionë euro në vit, mbetet për t’u parë nëse do jetë në harmoni me natyrën.
Në çdo vend demokratik procedura që ndiqet për të dhënë një status të veçantë, sa i takon ligjit të investimeve strategjike e kemi kritikuar si një ligj që kufizon garën. Procedura s’është respektuar sepse s’është bërë me garë. Para se të ketë një interes nga një kompani e huaj nuk duhet të jetë ideja e një investitori që zhvillon një vend, por politika e një qeverie të caktuar se si zhvillohet një vend. Është bërë një bisedë mes kryeministrit të Shqipërisë dhe përfaqësuesit të kompanisë, që kanë rënë dakord për të zhvilluar Sazanin. A mund të kishte një ofertë më të mirë? Kjo është pyetja që lind kur mungon gara. A mund të vinte dikush që të investonte 1,5 miliardë euro, apo 2 miliardë euro.
Ligji për investimet strategjike eliminon garën dhe jep kushte të favorizuara në treg. Gara përcakton kriteret dhe nxjerr fituesin. Kemi të bëjmë me dy zona të mbrojtura që ndodhen brenda ishullit të Sazanit. Duke qenë se ka qenë brenda planit të përhapjes së ushtrisë, është ushtria që vendos. Ka dyshime për shkelje të procedurës. 45 hektarë tokë janë 25 milionë euro kontribut nga shteti shqiptar. Nëse do ta merrnim me çmimin e tregut në Orikum, etj., kostoja do shkonte në 45-60 milionë euro. Pasi të shihnim planin e biznesit mund të thoshim nëse është realist apo jo. Por për të kthyer 1,4 miliardë euro pas, duhet që projekti të bëhet i operueshëm dhe të priten disa vite. Do duheshin minimalisht 7-15 vjet”.



