
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka njoftuar se provimi i Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës po zhvillohet në përputhje të plotë me standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren përkatëse. Ajo theksoi gjithashtu se publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk cenon procesin e provimit.
Në një njoftim për mediat, Ministria e Arsimit dhe Sportit garantoi të gjithë maturantët dhe opinionin publik se në 145 qendrat e provimit në të gjithë vendin, testimi po zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe të sigurt.
Kjo mundëson që 27 mijë maturantë të kenë mundësinë të demonstrojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në lëndën e Matematikës, pa pasur shqetësime për ndikime të jashtme.
Vëmë dhe njëherë theksin se publikimi i tezës së provimit pasi nxënësit kanë nisur testimin, nuk ndikon në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit.
Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron të gjithë maturantët dhe opinionin publik se procesi i provimit të Maturës Shtetërore në Matematikë po kryhet brenda të gjitha standardeve të sigurisë të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.
Ministria dhe strukturat arsimore ka ndërmarrë një sërë masash paraprake për të siguruar zhvillimin e drejtë dhe të barabartë të procesit të Maturës Shtetërore, përfshirë: mbikëqyrjen e ambienteve të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnimin e administratorëve, kontrollin e rreptë të hyrjes dhe daljes, si dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për të reduktuar stresin te maturantët për të arritur rezultate të merituara.



