Policia serbe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë një demonstratë të madhe antiqeveritare në Beograd, ku mijëra persona kërkonin zgjedhje të parakohshme dhe fundin e sundimit të Presidentit Aleksander Vuçiç.
Të paktën shtatë protestues u arrestuan, ndërsa gjashtë oficerë policie u plagosën në përleshjet në qendër të kryeqytetit serb, sipas agjencisë lokale të lajmeve Beta.
Pas disa paralajmërimeve me megafonë, duke urdhëruar protestuesit të largoheshin nga sheshi, oficerët filluan gradualisht të shpërndanin turmën.
Me thirrjen e lëvizjes studentore që ka demonstruar që nga nëntori i kaluar, qindra mijëra persona nga e gjithë Serbia u mblodhën në qendër të Beogradit, ku folën disa studentë dhe ish-ylli i basketbollit serb Dejan Bodiroga.
“Të quash këta të rinj, fëmijët tanë, terroristë dhe të mbrosh kriminelët më të këqij, kjo është masa e tyre. Por ne nuk e pranojmë”, tha ish-lojtari 52-vjeçar i Real Madridit dhe Barcelonës, aktualisht president i ekipit të basketbollit të Euroligës.
Ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçicc tha se pjesëmarrësit e tubimit në Trg Slavija të Beogradit sulmuan policët dhe shtoi se të gjithë ata që morën pjesë në të do të ndiqen penalisht.
Dënoj fuqimisht sulmet brutale nga pjesëmarrësit e tubimit të pashpallur në Slavija ndaj anëtarëve të policisë. Arrestoni të gjithë ata që sulmuan policinë.
Presidenti Vuçiç akuzoi protestuesit që bënin thirrje për zgjedhje si pjesë të një komploti të huaj që përpiqeshin të uzurponin vendin e tij.
“Ata donin ta rrëzonin Serbinë dhe kanë dështuar”, shkroi ai në faqen e tij në Instagram.



