Pas sulmit me eksploziv që ndodhi parmbrëmë në kanalin e Ibër-Lepencit, ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se furnizimi me ujë është duke u kthyer në normalitet.
Rizvanolli ka shkruar në rrjete sociale, se të shtunën vonë, ka filluar furnizimi me ujë në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan dhe se furnizimi po shkon drejt normalizimit.
Pas dëmeve që ka shkaktuar shpërthimi me eksplozivë, reduktime të ujit ka pasur edhe në Drenas, Fushë-Kosovë e Obiliq.
Furnizimi me ujë pritet të normalizohet edhe në këto komuna.
Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ilbër Lepencit po kthehet në normalitet! Mbrëmë në orët e vona ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.
Sot, uji tashmë është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furnizimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit!.
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Shpërthimi ndaj kanalit në Varragë nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit që rrezikoi furnizimin me ujë dhe rrymë në një pjesë të madhe të vendit.
Autoritetet kosovare reaguan shpejt për t’i ndrequr dëmet përkohësisht, duke vendosur gjashtë gypa brenda kanalit për ta mundësuar vazhdimin e furnizimit më ujë nga ky kanal.



