
Greqia vijon të kushtëzojë qëndrimin e saj për hapjen e negociatave për Shqipërinë me trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se Greqia nuk do të pranojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian nëse nuk merren masa konkrete nga pala shqiptare për eliminimin e diskriminimimit ndaj minoritetit grek.
“Shqipërisë do t’i them këtë. Greqia nuk do të pranojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE nëse nuk shohim masa konkrete për eliminimin e diskriminimit ndaj minoritetit grek në vend. Jam shumë i qartë në lidhje me çështjen në fjalë, e ngrita çështjen në bisedimet me Macron, Rute dhe Merkel, për arsye se do të zhvillohet një debat për çështjen në Këshillin Europian në tetor”, tha ai.
Deklarata e kryeministrit grek u bë në një konference shtypi në kuadër të 84-vjetorit të Ekspozitës Ndërkombëtare të Selanikut.
Një qëndrim i tillë është mbajtur edhe nga qeveria e mëparshme greke. Në deklaratat e tij, ish-kryeministri Aleksis Cipras është shprehur vazhdimisht se përmbushja e detyrimeve për të drejtat e minoritetit grek do të pasohej me votën pro të Greqisë për hapjen e negociatave për Shqipërinë.



