Zbulohet emri i parë i kandidatit për postin e kryetarit për Bashkisë së Kavajës, pas shkarkimit të Elvis Roshit.
Ajo është Silvana Daja një nga gjashtë kandidatet e propozuara nga Partia Socialiste për të garuar në zgjedhjet e Bashkisë së Kavajës, të cilat u dekretuan nga presidenti Bujar Nishani për tu mbajtur më 7 maj.
Vendimi për kandidaten Daja u mor gjatë ditës së sotme në Asamblenë e PS-së së Kavajës.
Silvana Daja është bashkëshorte e kryetarit të Partisë Socialiste në qytetin e Kavajës, Gentian Daja. Një emër ku mjaft i akuzuar nga partia Demokratike si i lidhur me trafikun e drogës. Kavaja shkon në zgjedhje pasi kryebashkiakut Elvis Roshi ju hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhje për shkelje sa i përket ligjit të dekriminalizimit, ndërsa më herët ai u shkarkua nga kryeministri Edi Rama për të njëtën arsye.
Ndërkohë, me shpalljen e datës së zgjedhjeve, Partia Demokratike deklaroi se do t’i bojktojë zgjedhjet lokale në Kavajë më 7 maj, -transmeton Express. Një arsye edhe më e fortë për këtë vendim, duket se do të bëhert edhe kandidatura e zgjedhur nga socialistët në garën për kryebashkiake. Opozita e ka akuzuar Gentian Dajën si trafikant droge bashkë me Elvis Roshin.
Ndërkohë me zyrtarizimin e kandidaturës së bashkëshortes së tij, kryesocialisti i Kavajës Gentian Daja ka deklaruar dorëheqjen e tij nga posti politik.
Ai shkruan përmes një statusi në rrjetin social Facebook se është i detyruar të ndërmarrë këtë vendim për të mos ndikuar në proces, duke e lidhur me konfliktin e interesit. Në statusin e tij ai falënderon mbështetësit që sipas tij, bënë të mundur që PS në Kavajë “sot të jetë një parti më e mirë”.
Në përfundim, Gentian Daja përdor të njëjtën shprehje të Saimir Tahiri, në momentin që ky i fundit u shkarkuar nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme, aktualisht kryetar i PS-së në Tiranë: “Bashkë tani do jemi akoma më të fortë”
“Në 7 maj dhe ne 18 qershor do korrim fitore spektakolare siç e do zakoni”,përfundon ai.



