
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paralajmëroi sot dyfishimin e gjobave për gjithë bizneset që nuk deklarojnë punonjësit. Ndërsa nga 1 qershori, sipas saj, do të paraqitet ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat që do targetojë profesionet e lira.
Këto dy nisma të qeverisë “Rama”, gazetari Klodian Tomorri i sheh si të paefektshme. Në studion e MCN TV, ai tha se informaliteti luftohet me institucione eficiente dhe nuk ka nevojë për aksione, rezultati final i të cilave është parë disa herë. Ndërsa ligjin e ri për profesionet e lira, ai e cilësoi një arnë që nuk do të zgjidhë asgjë.
Nuk bëjnë gjë tjetër veçse dublikojnë funksionet e një institucioni që ekziston. Nuk di të kemi pasur ndonjë rezultat me njësinë speciale kundër informalitetit.
Mendoj që gjuha e represionit fiskal nuk i shërben ekonomisë. Jemi në një situatë ku ekonomia po shtrëngohet. Deklaratat dhe gjuha represive e trembin edhe më shumë ambientin ekonomik të vendit dhe nuk i shërbejnë ekonomisë. Nuk është ky momenti për gjuhë të ashpër ndaj biznesit. Historia e aksioneve është kthyer në një traditë që në finale nuk ka prodhuar asgjë. Nëse forcohen institucionet, lufta kundër informalitetit do ta reduktojë atë në minimum. Nuk është se qeveria nuk e di kush e bën informalitetin. Janë bizneset më të mëdha, ato që kanë lidhjet më të forta me politikën që e bëjnë informalitetin.
Sistemi tatimor është i padrejtë dhe ineficient. Nuk mendoj që arnat që qeveria sjell përmes ligjeve si ai për profesionet e lira e zgjidhin këtë situatë.



