Karabinierët e Barit kanë arrestuar një shqiptar 30 vjeç, të cilit iu gjetën 6 kg heroinë në makinën e tij. Mediat italiane nuk bëjnë të ditur emrin e të arrestuarit, por theksojnë makina e drejtuar prej tij, një “Golf TDi” me targa shqiptare, sapo kishte zbritur nga një anije që kishte mbërritur nga Shqipëria.
Agjentët e Guardia di Finanza-s dhe Shërbimit Antimashtrim të Agjencisë Doganore të Monopolit e kanë zbuluar lëndën narkotike të njohur në treg si “sheqeri ngjyrë kafe” të fshehur në gomat e makinës.
Lënda ishte ndarë në 32 pako dhe ishte vendosur në brendësi të pjesës së gomave të makinës. 30-vjeçari shqiptar do të përballet me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Policia i sekuestroi atij celularin me dy karta SIM, të cilat janë vënë në dispozicion të hetimit që ka për qëllim zbulimin e mënyrës si funksiononte trafiku si edhe personat e tjerë të përfshirë në të.



