
Presidenti në ikje i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, thotë se britanikët nuk kanë qenë asnjëherë plotësisht anëtarë të BE-së.
“Britanikët që nga fillimi kanë qenë europianë part time. Ne na duhen europianë full time. Për më shumë se 40 vjet, ata thoshin se ishin pjesë e BE-s, por nuk i kanë ndarë njësoj si ne politikat që ka vendosur Unioni” është shprehur Juncker për Euronews.
Juncker ende beson se Britania dëshiron të largohet nga BE-ja, pavarësisht kaosit politik që po ndodh në vend për momentin. Megjithatë, sipas tij, Brexit do të jetë humbje si për BE-në, edhe për vetë Britaninë.
I pyetur nëse beson se ka "një vend të veçantë në ferr për ata që promovuan Brexit", siç është shprehur Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, në fillim të këtij viti, Juncker tha se nuk beson në ferr.
"Nuk do ta çoja dikë në ferr sepse ata po bënin më të mirën, kryesisht Theresa May," tha ai, duke shtuar se me kryeministren britanike është negociua jo për "marrëveshje", por për një “traktat".
Juncker tha se hedhja e Brexit në referendum ka qenë një gabim.



