Parlamenti Evropian miratoi në mbrëmjen e djeshme amendamentin e Grupit të Partive Popullore Evropiane, i cili përmbante 15 kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Amendamenti u miratua me 388 vota pro, 280 kundër e 19 abstenim dhe u firmos nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e reporterit për Shqipërinë, David Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler.
Këto kushte u vendosën nga Këshilli Evropian me propozimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti.
Sipas raportimeve mësohet se pro amendamentit votuan Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe djathta.
15 Kushtet
1. Miratimi i reformës zgjedhore;
2. Funksionimi i Gjykates Kushtetuese;
3. Funksionimi i Gjykatës së Lartë;
4. Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK;
5. Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar;
6. Ulje e numrit të azilkërkuesve;
7. Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecies;
8. Vazhdimi i Reformës në Drejtësi;
9. Track Records-Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve;
10. Progres në reformën e administratës publike;
11. Zbatimi i reformës zgjedhore;
12. Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019;
13. Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare;
14. Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censit;
15. Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave.
Kryeministri Edi Rama në një prononcim kishte thënë më parë se 15 kushtet ndaj Shqipërisë nuk ekzistojnë, duke i mohuar ato.
Megjithatë, para Konferencës ndërqeveritare, hapi ky i radhës i Shqipërisë drejt BE-së, Parlamenti Evropian ka miratuar të 15 kushtet, duke sfiduar kështu klasën politike shqiptare.
Një gjë e tillë është e paprecedent për integrimin e një vendi në BE.



